Fonetika e shqipes standarde, Tiranë (2009, 2010)
Tekst mësimor për studentët e gjuhës shqipe, që dallon nga teksti i A. Dodit jo vetëm nga përmbajtja, po edhe nga këndvështrimi i zgjedhur në shpjegimin e dukurive. Përshkrimi nyjëtimor dhe akustik i zanoreve dhe i bashkëtingëlloreve është bërë duke u mbështetur edhe në teknika të reja, si sonagramet e përftuara me programin kompjuterik “Praat” etj. Për klasifikimin e fonemave dhe përshkrimin e ndryshimeve kombinatore e pozicionale të tyre përdoret për herë të parë sistemi i tipareve binare të Çomski-Halles. Fonemat shihen jo vetëm në marrëdhëniet e tyre në gji të sistemit, po edhe nga pikëpamja e lidhjeve në rrjedhën e ligjërimit, duke u ndalur hollësisht në mundësitë e shfaqjes së tyre në rrjedhën e ligjërimit. Për këtë janë shfrytëzuar jo vetëm të dhënat e autorëve të tjerë që janë marrë me këto fusha, po dhe rezultatet e analizave të korpuseve elektronike të krijuara prej nesh, si korpusi i morfemave të shqipes dhe një korpus tekstesh. Përveç këtyre, trajtohen për herë të parë probleme të fonologjisë metrike të shqipes
Bukuria e gjuhës (gjuha shqipe për klasën e tretë të gjimnazit të përgjithshëm), 3, Podgoricë (2009)
Tekst i gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme të Malit të Zi. Objekt i tij janë leksiku dhe sintaksa, dy rrafshe të gjuhës që kanë si njësi i pari fjalën dhe i dyti fjalinë, si dhe disiplinat gjuhësore që merren me studimin e tyre. Në pjesën për leksikun shihen koncepte themelore të semantikës dhe mënyrat e ndërtimit të fjalëve. Pjesën më të madhe të tekstit e zë sintaksa e fjalisë, ku shihen njësitë sintaksore, duke nisur nga fjalia dhe duke zbritur shkallë-shkallë te njësitë më të vogla që përbëjnë fjalinë: sintagma dhe gjymtyra e fjalisë. Gjymtyrët e fjalisë merren me radhë, nga gjymtyrët kryesore te gjymtyrët e dyta, të paveçuar e të veçuara.
Bukuria e gjuhës (gjuha shqipe për klasën e dytë të gjimnazit të përgjithshëm), 2, Podgoricë (2008)
Tekst i gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme të Malit të Zi. Objekt i tij janë leksiku dhe sintaksa, dy rrafshe të gjuhës që kanë si njësi i pari fjalën dhe i dyti fjalinë, si dhe disiplinat gjuhësore që merren me studimin e tyre. Në pjesën për leksikun shihen koncepte themelore të semantikës dhe mënyrat e ndërtimit të fjalëve. Pjesën më të madhe të tekstit e zë sintaksa e fjalisë, ku shihen njësitë sintaksore, duke nisur nga fjalia dhe duke zbritur shkallë-shkallë te njësitë më të vogla që përbëjnë fjalinë: sintagma dhe gjymtyra e fjalisë. Gjymtyrët e fjalisë merren me radhë, nga gjymtyrët kryesore te gjymtyrët e dyta, të paveçuar e të veçuara.
Bukuria e gjuhës (gjuha shqipe për klasën e parë të gjimnazit të përgjithshëm), 1, Podgoricë (2007)
Ky tekst i gjuhës shqipe u drejtohet nxënësve shqiptarë të shkollave të mesme të Malit të Zi. Në të jepen njohuri të përgjithshme për natyrën, ndërtimin dhe rolin e gjuhës në shoqërinë njerëzore. Krahas njohurive të përgjithshme për gjuhën dhe shkencën që merret me studimin e saj, një vend i rëndësishëm i kushtohet gjuhës amtare. Qëllimi i tekstit është që, me një gjuhe të thjeshtë dhe të kuptueshme, ta përçojë nxënësin në botën e gjuhës, që të njohë si është ndërtuar ajo, ç’rol luan në jetën e shoqërisë dhe si duhet përdorur në situatat e ndryshme të komunikimit. Përveç këtyre, duke treguar si duhet të flasim dhe të shkruajmë shqip, teksti ndihmon edhe në formimin e identitetit kulturor e gjuhësor dhe të personalitetit të nxënësit
Histori e Kurveleshit, I (2004)
“Histori e Kurveleshit” është historia e krahinës që dallohet ndër krahinat e tjera të Labërisë për kontributet e mëdha në luftërat për liri e pavarësi, të cilat i kanë siguruar një vend të veçantë në historinë e kombit. Falë kushteve të favorshme për mbrojtje dhe sidomos natyrës liridashëse të njerëzve të tij, Kurveleshi ka qenë vatra kryesore e qëndresës në Labëri, “një akropol i paarritshëm prej armiqve”, sikundër e ka cilësuar Georg Hani. Kurveleshasit, “trima burrat, trime gratë”, janë shquar kurdoherë si luftëtarë të besës dhe të vendosur.
Himara (2004)
Pas jehonës që patën në vend ngjarjet e tetor-nëntorit 2003 në bashkinë e Himarës, nuk janë të paktë ata që duan të dinë diçka për Himarën dhe për banorët e saj... Meqenëse aleati më i madh i armiqve të kombit tonë në përpjekjet për të na përçarë e për të na larguar nga njëri-tjetri ka qenë kurdoherë padituria, në këtë libër jemi përpjekur të shpërndajmë mjegullën e paragjykimeve dhe të hedhim poshtë mëtimet pa baza historike ndaj kësaj krahine, duke ndriçuar prejardhjen e himarjotëve, vendin e Himarës në Labëri, lidhjet tradicionale e historike të saj me krahinat fqinje dhe çfarë e dallon atë prej tyre.
Teste gjuhësore, Vlorë, 2003 (me bashkautorësi)
Ky libërth u drejtohet kandidatëve për konkurset e pranimit në degët e gjuhës shqipe e të letërsisë dhe në degët e mësuesisë për ciklin e ulët të universiteteve shqiptare. Synimi ynë është të ndihmojnë masën e të rinjve që dëshirojnë të vijojnë studimet e larta në degët e mësipërme, veçanërisht ata që nuk kanë mundësi të ndjekin kurse private. Për hartimin e këtij teksti, jemi mbështetur në përvojën tonë të gjatë si mësues të gjuhës shqipe dhe si autorë tekstesh, por dhe në hartimin e testeve të këtij lloji. Materiali i testeve është nxjerrë nga tekstet e ushtrimeve të gjuhës për ciklin e lartë të shkollës tetëvjeçare dhe nga teksti universitar «Shqipja standarde».
Gjuhësi gjenerative (2003)
Është botimi i parë në gjuhën shqipe për gjuhësinë gjenerative, drejtimi mbizotërues në gjuhësinë botërore. Në këtë libër përshkruhet modeli gramatikor i përpunuar në vitet ‘50–‘90 të shekullit XX nga gjuhëtari amerikan Noam Çomski. Në të trajtohen lidhjet e gjenerativizmit me drejtimet e mëparshme të gjuhësisë amerikane dhe botërore, konceptet bazë të teorisë gjuhësore të Çomskit, fazat e gramatikës gjenerative dhe drejtimet konkurruese me të.
Shqipja standarde (2002, 2004, 2005, 2006, 2008)
Kur ulemi të hedhim në letër mendimet a përshtypjet tona, na dalin një varg vështirësish. Si duhet ta nisim letrën, kërkesën, raportin a referatin? Ç’fakte duhen vlerësuar si kryesore e ç’gjëra duhen lënë mënjanë si të panevojshme? Si t’i renditim fjalët në fjali dhe fjalitë në periudhë? Si duhen përshtatur gjymtyrët në fjali? Cilën nga fjalët sinonime të zgjedhim si më të përshtatshme? Si t’i shkruajmë fjalët me drejtshkrim të vështirë? Si duhet pikësuar teksti? Kur hapet paragraf i ri? Si citohen burimet etj.? Përgjigjet për këto dhe shumë pyetje të tjera gjenden në këtë libër
Hyrje në gjuhësi (2002, 2004, 2006, 2008)
Një vepër që e pajis studentin me një sistem konceptesh të nevojshme për të përvetësuar me lehtësi çdo disiplinë gjuhësore të të gjitha niveleve. Libri e njeh studentin me zhvillimet në gjuhësinë e sotme. Nënvizojmë përpjekjen e autorit për ta pasuruar lëndën me ide të reja për natyrën dhe funksionet e gjuhës, për organizimin e materies tingullore në njësi gjuhësore dhe për aspektin semantik të këtyre njësive, për konceptin e sintagmës, për ndarjen aktuale të fjalisë dhe për gjuhësinë e tekstit. Theksi vihet mbi konceptet e sintaksës gjenerative transformacionore, që zbërthehen me një gjuhë të saktë e të kuptueshme, ilustruar me shembuj e skema, që zbulojnë idetë në mënyrë shumë të qartë.
Morfonologji e eptimit të gjuhës së sotme shqipe (1989)
Objekt i kësaj monografie janë bërë ndërrimet e eptimit (fleksionit) në gjuhën e sotme shqipe, në një përpjekje për të zbuluar shtrirjen dhe rolin e këtij mjeti gramatikor në eptimin foljor dhe emëror të shqipes. Përshkrimi është shterues, i mbështetur në një korpus të gjerë, të nxjerrë nga gramatikat dhe fjalorët e shqipes.
Hyrje në gjuhësi (1986, 1990, me bashkautorësi)
Ky është teksti i parë origjinal në gjuhën shqipe për këtë disiplinë universitare. Autorit i përkasin pjesë nga kreu i hyrjes dhe kreu i fonetikës. Te kreu i parë, për herë të parë trajtohen konceptet gjuhë dhe të folur (ligjërim), lidhje sintagmatike dhe paradigmatike, nyjëtim i dyfishtë i gjuhës dhe sinkroni e diakroni. Po kështu, edheNë kreun e fonetikës, përveç fonetikës nyjëtimore, në nënkrerë të veçantë trajtohen fonetika akustike, fonetika funksionale, ndryshimet fonemore, njësitë e ligjërimit dhe dukuritë prozodike, duke pasqyruar nivelin e arritur në gjuhësinë botërore